Sociologët: Familja shqiptare ka ende një rol kyç në orientimin e fëmijëve
Nëse dekada më parë, si një busull e vetme orientimi për fëmijët për të zgjedhur rrugën e tyre të jetës ishin prindërit, tashmë situata ka ndryshuar.
Sociologët gjykojnë se familjet shqiptare ende kanë një mentalitet kolektiv çka bën që dhe ndikimi tek fëmijët të jetë i lartë, parë kjo në disa aspekte, por jo atë ndikim të fortë që mund të ketë pasur dikur.
“Fëmijët e familjeve të caktuara nuk kishin shumë informacion jashtë kontekstit familjar dhe jashtë bisedave familjare, ku prindërit si më të rritur dhe me kontakte më të gjëra se fëmijët sillnin informacione përtej asaj që fëmijët merrnin në jetën e përditshme nga bashkëmoshatarët”, shprehet sociologia Maria Dojçe.
Sociologia shpjegon më tej se tashmë të rinjtë kanë informacione pa fund jashtë kontekstit familjar çka i bën më rezistentë ndaj ndikimit të prindërve në vendimmarrje.
“Duke qenë se kanë informacione të shumëfishta, komplekse në të gjitha veprimtaritë se çfarë ndodh në botë bën që ata të jenë më rezistentë ndaj asaj çka ju jepet brenda familjes”, shton ajo..
Një ndër ndikimet kryesore të prindërve shqiptarë tek fëmijët e tyre, ka qenë ai për krijimin e familjes ndërsa sot të rinjtë e gjykojnë në një formë tjetër.
Sipas sociologëve në ditët e sotme familja ende ndikon dhe lë gjurmë tek fëmijët pasi ekziston ajo intuita e drejtimit rreth sugjerimeve të dhëna nga prindi.