Sot, Dita Kombëtare kundër Bullizmit
Sot është Dita Kombëtare kundër Bullizmit. Format e ngacmimit të papërshtatshëm janë në rritje në shoqëri, sidomos për grupet vulnerabël dhe fëmijët.
Dhuna dhe bullizmi në shkolla dhe kopshtet pengon të drejtat e fëmijëve dhe adoleshentëve, duke përfshirë të drejtën e tyre për arsim dhe shëndetësi.
Kuadri ligjor vendas garanton të drejtën e fëmijëve për të mësuar në një mjedis pa dhunë dhe pa u diskriminuar.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në një postim në rrjetet sociale rikujton paragrafin 3 të Nenit 54 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që thotë: “Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi …, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal”.
Këshilli i Evropës (KE) e përkufizon bullizmin si: “sjellje agresive, e padëshiruar, në mesin e fëmijëve të moshës shkollore që përfshin një çekuilibër të vërtetë apo të perceptuar të pushtetit. Sjellja përsëritet, ose ka potencial për t’u përsëritur, me kalimin e kohës. Si fëmijët që janë viktima dhe ato që janë agresorë mund të kenë probleme serioze dhe afatgjata”.
Vlerësohet se, në botë janë më shumë se 246 milionë fëmijë dhe adoleshentë, që përjetojnë dhunë në shkollë dhe ngacmim në një formë, çdo vit.