Sot takimi i Komunitetit Politik Europian në Budapest, merr pjesë edhe Rama
Kryeministri Edi Rama do të jetë sot në Budapest për të marrë pjesë në Samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian dhe Këshillit Informal Evropian.
Në takimin që zhvillohet në Hungari pas zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë të pranishëm liderë nga i gjithë kontinenti.
“Udhëheqësit do të diskutojnë sfidat e sigurisë së Evropës, duke përfshirë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, migrimin e parregullt dhe çështjet që lidhen me sigurinë ekonomike dhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT dhe tregtisë globale,” thuhet në njoftim.
BE-ja përfaqësohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Sfidat e sigurisë, emigracioni dhe siguria ekonomike janë temat që do të mbizotërojnë në agjendën e Komunitetit Politik Evropian. Udhëheqësit pritet të diskutojnë edhe zgjedhjen e Trump.
Megjithatë, ajo që pritet të mbizotërojë në diskutimet e liderëve është rezultati i zgjedhjeve në SHBA, pasi është hera e parë që ata do të kenë mundësinë të shkëmbejnë mendime, 24 orë pas fitores së Donald Trump.
“Deklarata e Budapestit”: Konkurrueshmëria, mbrojtja dhe energjia e BE-së
Të premten, në mbledhjen joformale të Këshillit Evropian – në prani të Christine Lagarde dhe Mario Draghi – temë e diskutimit në rendin e ditës sipas burimeve qeveritare është konkurrueshmëria evropiane me rastin e raportit të Draghit.
Është hera e parë që liderët europianë do të diskutojnë në detaje raportin e z. Draghi dhe do të kërkojnë të arrijnë një tekst të përbashkët mbi prioritetet e konkurrueshmërisë europiane (Deklarata e Budapestit).
Kujtojmë se Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen e ka autorizuar 77-vjeçarin Draghi që të bëjë një analizë të aftësisë konkurruese të BE-së.
Në të Draghi tërheq vëmendjen se Bashkimi Europian është i dobët në teknologjitë e reja, që do të nxisin rritjen e ardhshme ekonomike. Vetëm katër nga 50 sipërmarrjet e mëdha të teknologjisë janë firma europiane.
Në sfondin e konkurrencës nga SHBA dhe Kina ish-kryeministri i Italisë, Draghi vëren, se europianët ndodhen përpara një “sfide ekzistenciale”. Pa produktivitet më të lartë Europa nuk mund “të jetë lider në fushën e teknologjive të reja, as një fanar në përgjegjësinë për klimën dhe një aktore e pavarur në skenën botërore”. Edhe modeli social europian nuk mund të financohet më. Shkruan italiani në analizën e tij strategjike.