SPAK, hetim për fshehje pasurie ndaj Fatos Tushes, i sekuestrohet apartamenti në Lungomare

Ish-kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe i është sekuestruar me vendim të GJKKO-së apartamenti në Lungomaren e Vlorës. Vendimi i GJKKO-së erdhi pas kërkesës së SPAK, që ka nisur një hetim për fshehje pasurie ndaj ish-kryebashkiakut.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, nga hetimet ka rezultuar se, Tushe, gjatë kohës që ka qenë në krye të Bashkisë së Lushnjës, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë.

Apartamenti, me sipërfaqe 75.3 m2, rezulton i regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga Tushe.

Fatos Tushe u arrestua në korrik të vitit 2021 nga SPAK dhe u dënua me 2 vite e 4 muaj burg. Ndërkohë Apeli i GJKKO e shpalli fajtor edhe për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, për të cilën iu shtua dënimi edhe me 1 vit tjetër.

Dënimin me 3 vite e 4 muaj, Tushe e kishte shlyer me afatet e paraburgimit dhe për këtë arsye ai u lirua në muajin janar të 2024.Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar ka liruar nga burgu ish-kryabashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe.

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 199/1, të vitit 2021,(të ndarë nga procedimi penal nr. 199/2020), për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2, i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Fatos Tushe, me detyrë ish-Kryetar i Bashkisë Lushnjë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 136, datë 29.02.2024, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
  2. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria Nr. 40/267/4+1-21, Z.K 8602, lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 75.3 m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë”.

Hetuesit Financiarë dhe Oficerët e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë marrë masat për ekzekutimin e Urdhërit të Prokurorisë së Posaçme datë  04.03.2024, nxjerrë mbi bazën e vendimit penal të mësipërm të marrë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, personi nën hetim Fatos Tushe, gjatë kohës që ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Bashkisë Lushnje, nuk ka deklaruar apartamentin në Lungomare Vlorë, pasuri e cila është e regjistruar në emrin e një kompanie që operon në fushën e ndërtimeve, por që posedohet nga personi nën hetim.

Nga ana jonë vijojnë veprimet proceduriale për vërtetimin e akuzës në hetim.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.