SPAK ka nisur hetimin pasuror, Saimir Tahiri dy orë e gjysmë në SPAK
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka qëndruar në ambientet e SPAK rreth dy orë e gjysmë, ku është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm pasi ndaj tij ka nisur një hetim pasuror.
I shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia u fut në ambientet e SPAK në orën 13:00 dhe doli në 15:40 (24 qershor 2024).
Sipas informacioneve mësohet se Saimir Tahiri u thirr nga prokurori Elvin Goga në lidhje me një hetim pasuror të nisur ndaj tij prej disa muajsh.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Tahiri u shpre për medien se “nuk kam asgjë për të thënë”.
“Me vjen keq qe keni qëndruar kaq gjatë! S’kam asgjë për të thënë! Mirupafshim!”- tha Tahiri.
Saimir Tahiri mbërriti në ambientet e SPAK rreth orës 12:55 i shoqëruar nga avokati Maks Haxhia.
Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Tahiri u lirua nga qelia më 2 qershor 2023, pas më shumë se një viti në burg.
Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj prej muajsh heton Tahirin mbi pasurinë dhe burimin e krijimit të tyre, pas denoncime që kanë mbërritur në SPAK në lidhje me disa prona që janë blerë nga familjarët e tij. Procedimi në fjalë është regjistruar disa muaj më parë teksa hetuesit kanë nisur verifikimet duke vënë në sitë të gjitha pasuritë e luajtshme, të paluajtshme dhe llogaritë bankare të Tahirit dhe familjarëve të tij.