SPAK kërkoi “Arrest shtëpie”/ Shtyhet për më 27 dhjetor vendimi për Sali Berishën
Shtyhet vendimi për ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjykata e Posaçme në mbledhjen e sotme (26 dhjetor), e cila zgjati më shumë se një orë, ka vendosur të shtyjë për ditën e nesërme ora 11:00 seancën e radhës, pas kërkesës së bërë nga avokatët e Berishës për t’u njohur me argumentet e prokurorëve të SPAK.
Avokatët e Berishës kërkuan gjithashtu përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duke e akuzuar këtë të fundit për njëanshmëri.
Mësohet se hetuesit kanë kërkuar arrest shtëpie me mbikëqyrje policore te dera e shtëpisë për ish-kryeministrin.
Berisha nuk ka pranuar të paraqitet në seancat paraprake dhe ka dërguar dy avokatët e tij.
Pasi Kuvendi miratoi autorizimin e kërkuar nga SPAK për heqjen e imunitetit të tij, Struktura e Posaçme iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin.
Në seancën plenare të 21 dhjetorit, Kuvendi votoi dhënien e autorizimit për SPAK për masën ndaj ish-kryeministrit Berisha, mes tensioneve të shumta dhe protestës së mbështetësve të Berishës në kundërshtim të këtij vendimi.
Mbikëqyrje policore për Berishën, Gjokutaj: Kërkesa e prokurorëve, e paligjshme
Në një dalje për mediat, një prej avokatëve të Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi se kërkesa e prokurorëve të SPAK për mbikëqyrje policore në rast caktimi të masës “arrest me burg’ për ish-kryeministrit, është e paligjshme dhe e qëllimtë.
“Në fillim të seancës ne i kërkuam gjyqtares të jepte dorëheqjen me shkakun e bërë tashmë të ditur për njëanshmëri. Ajo nuk u shpreh as pro as kundër. Ndërkohë përpara seancës kishim dorëzuar në sekretarinë e gjykatës kërkesën me të gjitha provat që provojnë faktin që z. Berisha ka qenë kryetar i KLD-së dhe në ’96 në shkurt, gjyqtarja e çështjes ishte shkarkuar. Nga ana e prokurorëve vijoi seanca pavarësisht kërkesës sonë, deri në momentin që prokurorët shteruan kërkesën prokurorët. Ne bëmë disa pyetje për të cilat ata bën sikur dhanë përgjigje.
Kërkesa e prokurorëve ishte e shoqëruar me prova për të cilat kërkuam të njiheshim dhe gjykata vendosi shtyrjen e seancës për nesër.
Ajo që unë dua të denoncoj për paligjshmërinë e kërkesës së prokurorëve është që ndryshimi i masës së sigurimit është kërkuar me mbikëqyrje policore, e pambështetur në ligj çka tregon qëllimin e SPAK dhe të kësaj gjykate jo për të bërë një proces të ligjshëm por për t’u hakmarrë.
Është e paparashikuar në ligj kërkesa e prokurorëve të SPAK“, tha Gjokutaj.