SPAK kërkon arrestimin e Berishës, Balla: Ligji, i barabartë për të gjithë
“Koha kur në Shqipëri vendimet e prokurorëve dhe të gjykatave nuk zbatoheshin ka marrë fund. Tashmë të gjithë janë të barabartë para ligjit”. Kështu e ka komentuar nga Fieri prag- arrestimin e Sali Berishës, Ministri i brendshëm Taulant Balla ku ka theksuar se sot jemi në një moment të rëndësishëm historik të një revanshi të forcës dhe sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar.
“Ligji është i barabartë për të gjithë. Koha kur në Shqipëri nuk zbatoheshin vendimet dhe urdhrat e prokurorëve ka marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Reforma në drejtësi është shpresa që kanë të gjithë shqiptarët që para ligjit duhet të jenë të gjithë të barabartë. Nuk ka askush mundësinë t’i shmanget. Sot jemi në një moment të rëndësishëm historik, të një revanshi të forcës dhe sundimit të ligjit kundër krimit të organizuar”, tha Balla.
Ministri është ndalur edhe te pronat e sekuestruara ku sipas tij janë miratuar ndryshime në ligjin për administrimin e tyre.
Në cilësinë e Ministrit të Brendshëm kam urdhëruar ndalimin e shitjes së pronave të sekuestruara ka thënë Balla teksa ka theksuar se të gjitha pronat e konfiskuara nga subjekte kriminale do ti vihen në dispozicion organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile.
Këto deklarata Balla i ka bërë gjatë prezantimit të prefektit të ri të qarkut Fier, Rajmonda Balilaj e cila ka zëvendësuar në këtë post Lefter Shehajn.