SPAK sekuestron 390 mijë metër toka të biznesmenit Pëllumb Gjoka
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të premten sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të biznesmenit Pëllumb Gjoka, të cilat arrijnë një sipërfaqe totale prej 390 mijë metër katror.
Gjoka u arrestua me urdhër të SPAK-ut në korrik së bashku me kreun e prokurorisë së Kukësit, Xhevair Lita, ish-shefin e Operacionales, Olti Bistri, ndërsa fletarrestet ishin prerë edhe ndaj personave të tjerë të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 422 datë 23.10.2023 ka vendosur masën së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, bazuar në nenin 274 të K.Pr.Penale dhe 36 të Kodit Penal mbi 3 (tre) pasuritë të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) m2, si më poshtë:
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregtare;
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregtare;
- Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.
Nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga shtetasi P. Gj., në bashkëpunim me persona të tjerë,” njoftoi SPAK-u.
Operacioni për arrestimin e Gjokës dhe grupit
Policia e Shtetit dhe ajo italiane kanë zhvilluar një operacion të përbashkët, duke çuar në pranga prokurorë, biznesmenë, zyrtarë të policisë dhe eksponentë të botës së krimit.
Bëhet me dije se aksioni policor është shtrirë në disa qytete të vendit, ndërsa deri më tani është konfirmuar arrestimi i drejtuesit të prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmeni Pëllumb Gjoka dhe ish-kreu i Forcave Operacionale, Olti Bistri dhe Astmer Bilali, pjesë e grupit “Bajri”.
Dyshohet se arrestimet kanë ardhur për akuzat shpërdorim detyre, korrupsion dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Operacioni është zhvilluar nga policia e shtetit nën drejtimin e SPAK në bashkëpunimin me autoritetet Italian.
Një ndër të arrestuarit Oltion Bistri u largua nga posti në krye të operacionales pas ardhjes në detyrë si ministër i Brendshëm, Taulant Balla. Më herët, në vjeshtën e vitit 2021 ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa ka drejtuar edhe Policinë e Durrësit si dhe Komisariatin Nr.2 në Tiranë. I arrestuari, tjetër biznesmeni Pëllumb Gjoka në vitin 2017 mbeti i plagosur me armë zjarri në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar, ku tha se operacioni i zhvilluar ishte kundër krimit të organizuar. Sipas Ballës, në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe eksponentë të krimit të organizuar.