SPAK sekuestron pasurinë me vlerë 1 mld euro në pronësi të ish-kreut të Operacionales, Oltion Bistri
Prokuroria e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një sërë pasurish në pronësi të ish-kreut të Operacionales Oltion Bistri, i arrestuari me urdhër të SPAK së bashku me drejtuesin e prokurorisë së Kukësit, Xhevahir Lita, biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe Atmer Bilalin, pjesë e grupit “Bajri”.
Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara, SPAK ka evidentuar se që prej vitit 2015, Bistri dhe familjarët e tij kanë kryer transaksione të dyshimta në lidhje me shit-blerjen e pasurive të paluajtshme që kapin vlerën e 1 miliard eurove.
Në këtë kuadër, Prokuroria e Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
- Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
- Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
- Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
- Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
- Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.
Oltion Bistri u arrestua në muajin korrik me urdhër të SPAK, së bashku me disa persona të tjerë të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 78, 319/ç, 319, 110, 248, 309, 278, 283/a, 333/a, 334, dhe 287 të Kodit Penal.
Bistri u largua nga posti në krye të operacionales pas ardhjes në detyrë si ministër i Brendshëm, Taulant Balla. Më herët, në vjeshtën e vitit 2021 ka qenë më detyrë në Policisë e Lezhës, ndërsa ka drejtuar edhe Policinë e Durrësit si dhe Komisariatin Nr.2 në Tiranë.