SPAK: Urdhërarrestet për koncesionin e sterilizimit u firmosën më 23 qershor
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar, në lidhje me urdhërarrestet për koncesionin e sterilizimit. SPAK bën me dije se hetimet në lidhje me këtë koncesion kanë nisur që më 13 janar të vitit 2020. Sipas SPAK, pas regjistrimit të procedimit penal, nga ana e policisë gjyqësore janë kryer një numër “jashtëzakonisht i madh” veprimesh hetimore.
Ajo që bie në sy është fakti se urdhërarrestet janë firmosur nga GJKKO, me kërkesë të SPAK që më 23 qershor të këtij viti, ndërsa vendimi është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ditën e djeshme (16 gusht).
Nuk bëhen me dije arsyet se përse ekzekutimi i vendimit është bërë me 2 muaj vonesë.
SPAK bën me dije se ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, i lënë në “arrest në burg”, akuzohet për veprën penale “Falsifikim i dokumentave”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj, por ashtu me masë sigurie “arrest në burg”, akuzohet për “Mashtrim”.
Shefi i Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, akuzohen për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Ndërkohë, ndaj Saimir Kadiut, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanajt, drejtoreshë juridik, të lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, rëndojën dy akuza, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “shpërdorim detyre”.
SPAK njofton se hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.