Spanja evakuon mijëra njerëz pas alarmeve për përmbytje të reja
Mijëra njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Spanjës, Costa del Sol, pas një alarmi të kuq për shira të fortë dhe përmbytje.
Agjencia e Mbrojtjes Civile lëshoi një paralajmërim masiv për reshje ekstreme, duke u kërkuar banorëve të provincës Malaga të mbrohen nga rreziku i përmbytjeve. Alarmet u pasuan nga mbyllja e shkollave dhe bizneseve, ndërkohë që autoritetet urdhëruan largimin e 3,000 personave që jetojnë pranë lumit Guadalhorce.
Në të njëjtën kohë, Katalonja dhe disa rajone të tjera janë gjithashtu në gatishmëri për reshje intensive dhe temperatura të ulëta, pasi stuhia “Dana” pritet të prekë vendin.
Ky alarm vjen pas një periudhe të vështirë, pasi vetëm disa javë më parë, përmbytjet e mëdha në Valencia shkaktuan mbi 220 viktima. Megjithatë, meteorologët besojnë se kjo stuhi nuk do të ketë pasojat katastrofike të atij momenti, por ngjall frikë për një tjetër valë të motit të keq.