Spanja kërkon të “blindojë” De La Fuente deri në vitin 2028
Vendimi është marrë. Dëshira unanime e bordit të RFEF (Federatës Spanjolle të Futbollit), e komanduar nga presidenti Pedro Rocha, është që t’ia zgjasë kontratën trajnerit Luis de la Fuente deri në Euro 2028. Sipas asaj që u konstatua nga gazeta AS, numri një i Federatës do të arrijë në grumbullimin e kombëtares në Donaueschingen për t’i bërë ofertën trajnerit 63-vjeçar, i cili duke pranuar do të merrte trefishin e pagës aktuale.
Në këtë rast është trefishi i 600 mijë eurove që fiton aktualisht me kontratën e tij si trajner. Rocha dëshiron të komunikojë propozimin përpara se të luhet finalja e së dielës kundër Anglisë, si shenjë mirënjohjeje për punën e bërë deri tani nga De La Fuente, duke modifikuar kështu kontratën aktuale të vlefshme deri më 31 korrik 2026. Një mënyrë për të “blinduar” trajnerin i cili po merr, siç lexohet në gazetën spanjolle, disa oferta nga klubet e La Liga, Premier League dhe Bundesliga.