Spanja liron gabimisht kreun e mafies që donte të vriste princeshën dhe kryeministrin e Holandës
Lideri famëkeq i një grupi kriminal, i cili planifikonte të vriste trashëgimtaren e fronit në Holandë dhe kryeministrin Mark Rute (o. Rutte) i ka shpëtuar burgut për shkak të një ngatërrese gjyqësore në Spanjë.
Karim Boujakriçan (o. Bouyakhrichan), kreu i mafies marokene, e njohur si “Mocro Maffia” në Holandë, u arrestua në Marbela të Spanjës janarin e shkuar, pasi po hetohej prej pesë vitesh për pastrimin e parave.
Pas arrestimit, autoritetet holandeze kërkuan ekstradimin e tij në Gjykatën Kombëtare të Spanjës, për t’u përballur me akuzat që lidhen me trafikun e drogës.
Gjykata Kombëtare në Madrid i dha dritën e gjelbër kërkesës, por gjykata provinciale në Malagë, e cila ka juridiksion mbi zonën ku u arrestua Boujakriçani, nuk pranoi ta ekzekutonte atë, duke argumentuar se i pandehuri duhej të përballej me akuzën e pastrimit të parave në Spanjë para se të ekstradohej diku tjetër.
Autoritetet holandeze e apeluan vendimin, duke parashtruar një kërkesë të re urgjente se kryetari i kartelit ishte një nga kriminelët më të kërkuar të Interpolit dhe se kërkohej për rolin e tij në një luftë të gjatë dhjetëvjeçare, pankontinentale të drogës, me dhjetëra të vrarë në Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Marok.
Rrjeti radiofonik spanjoll “Cadena SER” zbuloi të martën se megjithëse Gjykata Kombëtare e pranoi ankesën e Holandës, nuk lëshoi urdhrin për mbajtjen e Boujakriçanit në paraburgim derisa të bëhej ekstradimi.
Kur gjykata provinciale e Malagës mbajti muajin e kaluar seancën për çështjen ndaj tij për pastrim parash, gjykatësi kryesor pranoi ta lirojë shefin e bandës me kusht kundrejt garancisë 50.000 euro. Raportohet se Boujakriçani, si një miliarder me llogari bankare dhe prona në të gjithë botën, menjëherë pagoi paratë dhe u largua nga qyteti. Autoritetet nuk e kanë parë që prej asaj kohe.
Në vitin 2022, princesha holandeze Amalia u desh të largohej nga konvikti i studentëve dhe të kthehej në pallatin mbretëror, pasi policia siguroi prova që tregonin se Boujakriçani po planifikonte ta rrëmbente ose ta vriste trashëgimtaren e fronit. Sipas të përditshmes holandeze, De Telegraaf, edhe kryeministri Mark Rute ishte në listën e objektivave të mundshëm. /Politico