Spanja shpartallon Zvicrën, Japonia mund NorvegjinëKampionati i 9-të Botëror i…
Spanja shpartallon Zvicrën, Japonia mund Norvegjinë
Kampionati i 9-të Botëror i Futbollit të Femrave ka mbyllur fazën e grupeve dhe ka hyrë tashmë në pjesën më të nxehtë, atë të eliminimit të drejtpërdrejt, teksa, duke nisur që sot e deri të martën do të luhen duelet e turit të 16-shes. Ky Botëror po zhvillohet në Australi dhe në Zelandë dhe po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Valsin e turit të 16-shes e çelur sot në ora 07:00 të mëngjesit derbi evropian midis Zvicrës dhe Spanjës, me helvetet që morën vendin e parë në një grup të vështirë si grupi A, kurse iberiket mbetën në vendin e dytë në grupin C, që u mbizotërua nga Japonia.
Por spanjollet kanë fituar me rezultatin e thellë 5-1, në një sfidë që u mbizotërua plotësisht prej tyre, me 4 gola e shënuar në 45 minutat e para dhe një në ato të dytat. Madje edhe goli i vetëm i zviceraneve ishte një autogol i spanjolleve. Në duelin tjetër të ditës së shtunës, që u luajt duke nisur nga 10:00, Japonia u përball me Norvegjinë në ndeshjen që erdhi drejtpërdrejt në RTSH Sport.
Pjesa e parë e kësaj sfide është mbyllur në barazim 1-1, me aziatiket që kaluan në epërsi falë një autogoli të Engenit në minutën e 15-të, por me nordiket që rikthyen barazpeshën në shifra vetëm 5 minuta më pas, me anë të Raitenit.
Megjithatë, pjesa e dytë ka parë Japoninë të mbizotërojë, duke u rikthyer në epërsi në minutën e 50-të, falë një goli të Shimizus, dhe duke e vulosur fitoren 9 minuta para fundit të kohës së rregullt, me golin e Mijazavës. Japonia mund kështu Norvegjinë 3-1 dhe pret të njohë kundërshtaren që do të dalë nga çifti i së dielës, Suedi-SHBA.