Specialistë të rinj për sigurinë ushqimore – UBT program 2-vjeçar në Shëndet Publik Veterinar
Do të duhet dy vite specializim, që një pjesë e të diplomuarve për mjekësi veterinare, të mund të plotësojnë nevojat që ka tregu për specialistë në Shëndet Publik Veterinar dhe Siguri Ushqimore.
Ky program afatgjatë edukimi pasuniversitar i përafërt me atë të universitetit në Milano, do të formojë profesionistë në fushën e inspektimit dhe kontrollit në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor.
“Njohuria që nuk është e mjaftueshme vetëm me ciklin bazë, tani do të ketë mundësi të ketë një rritje të kualifikimit profesional. Kërkohen specialistë ose mjekë veteriner të cilët të kenë një formim edhe më të orientuar”, tha Rezart Postoli, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë Veterinare.
Ky program që vjen për herë të parë, pranon studentë me një mesatare jo më të ulët se 7, ku pjesa më e madhe i lihet praktikës në terren.
Ky vit i ri akademik ka realizuar 80 përqind të kuotave, me regjistrimet në vitin e parë bachelor të studentëve, që kanë nisur studimet në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare.