Spiropali me Konjufcën: S’mund të ketë kapituj të rinj në rajon, pa mbyllur të së shkuarës
Në fjalën e tij në konferencën për media pas takimit, Konjufca deklaroi se së bashku me Spiropali kanë diskutuar mbi mbështetjen e dy vendeve në rrugën drejt integrimit evropian.
Konjufca theksoi se vendi i tij ka nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kundrejt sjelljes armiqësore të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës.
“Kam pritur në vizitë zyrtare znj. Elisa Spiropali. E urova për detyrën e re, duke besuar fuqishëm se ajo do vazhdojë më tej e do forcojë traditën e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy Kuvendeve e dy vendeve tona. Znj.Spiropali zgjodhi Kosovën dhe tregon dashurinë që ajo ka për vendin tonë.
Kuvendet tona kanë përgjegjësinë e përafrimit institucional. Bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve, në të gjitha format e segmenteve, ka shkuar duke u rritur përgjatë viteve. Si Republikë e Kosovës, marrëdhënien me Shqipërinë e shohim përtej raporteve shtetërore, si marrëdhënie ndër vetvete.
Qytetarët besojnë se Republika e Kosovës ka dalë nga Shqipëria. Nga ajo e Shqipëri që nuk u bë e plotë dhe e cila na u mohua ne, dhe për të cilën shqiptarët e Kosovës kanë luftuar me dekada duke krijuar Republikën e Kosovës. Shqipëria ka merita të mëdha në lirinë e pavarësinë e Kosovës.
Dëshiroj të theksoj se në takimin me Spiropalin diskutuam mundësitë që duam të shfrytëzojmë nga ky nivel i vetëdijes kombëtare si institucione, si politikë dhe shoqëri që të mbështesim vendet në rrugën e integrimit.
Kosova vijon të ketë nevojë për mbështetjen e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare kundrejt sjelljes armiqësore që ka Serbia ndaj pavarësisë sonë”, deklaroi Konjufca.
Nga ana e saj Spiropali dënoi ashpër sulmet e dhunshme kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe përfaqësuesve të medias në veri.
Sipas Spiropalit, autorët, organnizatorët dhe nxitësit e këtyre akteve duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë.
“Shqipëria dënon ashpër çdo sulm të dhunshëm kundër policisë së Kosovës në detyrën e tyre për të shtrirë sovranitetin e Republikës së Kosovës, sulmet ndaj KFOR, apo përfaqësuesve të medias në veri të vendit. Autorët, organizatorët e nxitësit e këtyre akteve duhet të mbajnë përgjegjësi e të dalin para drejtësi. Nuk ka të ardhme të qëndrueshme pa qortuar të shkuarën.
Nuk mund të ketë kapituj të rinj në rajon, pa mbyllur kapitujt e dhimbshëm e tragjik të së shkuarës”, tha Spiropali.