Spiropali përplaset me Bashën: Braktise zgjedhjet për të mos votuar ligjet e reformës në drejtësi

Komisioni i posaçëm antikorrupsion ka nxitur debate e diskutime në seancën e sotme plenare. Kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur nga foltorja e Kuvendit se qeveria Rama nuk ka asnjë qëllim tjetër përveçse varrosjen e të vërtetave.
“Teatri që shihni këtu bëhet për një arsye të vetme sepse as Kryetarja e Kuvendi e askush në këtë sallë nuk përgjigjet se ndërkohë që ngrihet ky komision të vetmet akte të depozituara në Kuvend janë varrosur në sirtarët e plurosur të kësaj shumice të përmbysur moralisht në aferat korruptive të kësaj qeverie të zhytur deri në fund.
Sot sillni këtu një propozim për komitet a komision që sicc dihet krijohet kur do të varrosësh një ide të mirë”, u shpreh Basha.
Deklaratave e akuzave të tij iu është kundërpërgjigjur Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin, Elisa Spiropali. Kjo e fundit i rikujtoi Bashës braktisjen e zgjedhjeve dhe Kuvendit me qëllim mosvotimin e ligjeve që rridhnin nga reforma në drejtësi.
“Kërkojmë, synojmë dhe do e bëjmë një komision që përfshin vetëm diskutime e analiza të ditës, por do përfshije dhe prodhojë një plan kombëtar kundër korrupsionit , mirëqeverisjen dhe sundimin e ligjit.
Ju keni paqartësi kronike se s’ju përputhet ajo që bëni e doni. Ju braktisët zgjedhjet dhe Kuvendin për të mos votuar ligjet që rridhnin nga reforma në drejtësi.
Ju flisni për heqje imuniteti atëherë kur ishit në kalë, kur i kishit ju vetë, keni shpëtuar me procedurë nga hetimet e gjykimet, i kishte në dorë babai juaj politik, por ju ishit dakord.
Vetingu në politik po bëhet nga SPAK se ajo heton politikanët dhe ne e kemi lënë të lirë dhe I kemi çliruar duart dhe e kemi nxjerrë nga kontrolli politik për të hequr imunitetiet, për të dënuar”, tha Spiropali.