Spiropali pret Presidentin e Irzaelit: Miqësia mes vendeve tona, historike
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, në Kryesinë e Kuvendit, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri. Kjo është hera e parë që një president izraelit viziton Shqipërinë, duke shënuar një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Gjatë fjalës së saj, Spiropali nënvizoi partneritetin e fortë me Izraelin në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit dhe përmendi angazhimin e Kuvendit në këtë drejtim, pas miratimit të rezolutës për përkufizimin e antisemitizmit dhe organizimit të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit.
Presidenti Herzog shprehu mirënjohjen për pritjen dhe vlerësoi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë periudhave të vështira. Herzog vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Knesetit (Parlamenti i Izraelit), duke garantuar mbështetjen e tij për forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve si edhe ftoi Spiropali të vizitojë Izraelin.
Në takim morën pjesë anëtarët e grupit të miqësisë me Knesetin, Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, kryetarja e grupit të miqësisë Blerina Gjylameti, deputetët Blendi Klosi dhe Oerd Bylykbashi, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, dhe Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.