Lajme

Spiropali pritet nga Presidentja e PE Metsola: Stad i ri bashkëpunimi me Parlamentin Europian

Me ftesë të Presidentes së Parlamentit Europian, znj. Roberta Metsola, Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë në Parlamentin Europian, në Bruksel, gjatë së cilës u takua me Presidenten Metsola. Gjatë kësaj vizite, znj. Spiropali, shoqërohet nga Bashkë-Kryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asoocimit Shqipëri-Parlamenti Europian dhe Zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, z. Toni Gogu, Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Klotilda Bushka, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, z. Eduard Shalsi, dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, z. Ferit Hoxha.

Gjatë takimit me Presidenten Roberta Metsola, Kryetarja Spiropali shprehu urimet për rizgjedhjen në termin e dytë si Presidente dhe besimin se, gjatë këtij termi, bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Europian do të fuqizohet dhe do të kontribuojë në përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Znj. Spiropali vlerësoi qasjen shumë pozitive të PE dhe Presidentes Metsola për Ballkanin Perëndimor, e konkretizuar në vendimin e Byrosë së PE të korrikut 2024, për një prani të PE në rajon dhe i paraqiti Presidentes kërkesën që vendndodhja e kësaj prezence të jetë në Tiranë.

Shqipëria është jo vetëm vendi avangardë, më i vendosur, me mbështetjen më të madhe popullore, por edhe me shpejtësinë më të madhe drejt anëtarësimit në BE, ndër të gjitha vendet e rajonit. Tirana po shndërrohet në një qendër europiane të rajonit.

Ne e kemi të qartë se anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në meritën dhe punojmë çdo ditë për ta merituar këtë.

Vokacioni europian dhe perëndimor i Shqipërisë është tashmë një realitet i njohur e pranuar botërisht.

Mbajtja e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare në 15 tetor dhe çelja e negociatave për grup-kapitujt e parë “Themelorët”, ishte një konfirmim i qëndrueshmërisë së arritjeve, por edhe i vullnetit për avancimin me grup-kapitujt e tjerë.

Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për zhvillimin dhe fuqizimin e ekonomisë, integrimin në ekonominë dhe tregun europian dhe rritjen e mirëqenies.

Kuvendi është maksimalisht i angazhuar në lidershipin e procesit të anëtarësimit, përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të BE-së, kontrollin e monitorimin e zbatimit të reformave demokratizuese dhe integruese, mirëqeverisjes, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, pavarësisë së pushtetit gjyqësor, pandëshkueshmërisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Kuvendi po punon gjithashtu për hartimin e Planit të Veprimit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit 2024 për Shqipërinë. Europa në Shqipëri dhe për shqiptarët është më shumë se një flamur që pret një yll më tepër në Bruksel. Është identiteti ynë, rrënjët tona, ëndrra jonë, destinacioni ynë.

Anëtarësimi në BE, si një objektiv strategjik kombëtar, është një proces gjithëpërfshirës dhe Kuvendi po bashkëpunon në këtë proces me qytetarët, publikun, shoqërinë civile, grupet e interesit dhe median.

Duke nënvizuar se këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe zgjerimi i bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Parlamentit Europian, Kryetarja Spiropali i propozoi Presidentes Metsola disa mekanizma konkretë të këtj bashkëpunimi si platforma të përbashkëta dialogu, komunikimi, programe për zhvillim kapacitetesh, për rritjen e transparencës dhe efektivitetit të veprimtarisë parlamentare etj.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Ushtarakët e Kolegjit të Mbrojtjes vizitojnë RTSH – Njihen me rolin e medias në komunikimin publik

Oficerë dhe pedagogë te Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura vizituan këtë…

8 hours ago

Kupa, Vllaznia përballë Elbasanit – Hidhet shorti, ndeshje interesante në çerekfinale

Vllaznia do të luajë me Elbasanin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërsië. Goglat i kanë…

8 hours ago

Lamtumirë legjenda Sabah Bizi – Mijëra persona kanë bërë homazhe në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”

Futbolli shqiptar sot është në zi! Një ndër legjendat e tij, Sabah Bizi, u nda…

8 hours ago

Zhvillimi i artit muzikor në Shkodër – Muzikologu Gjyrezi ndalet tek ahengu shkodran dhe studimin e tij

Shkodra mbart një pasuri të madhe të kulturës kombëtare, ku ahengu Shkodran është një prej…

8 hours ago

Përdorimi i drogës në moshë të re – Dita e të Drejtave të Njeriut për Përdoruesit e Drogës, flet neuropsikiatri Gjon Preçi

17 janari shënon Ditën Botërore të të Drejtave të Njeriut për Përdoruesit e Drogës.  Neuropsikiatri…

8 hours ago

Komplikacionet në shëndetin e mushkërive  – Flet mjekja pneumologe, Lindita Çela Dibra

Jemi në muajin më të ftohtë të dimrit dhe virozat stinore prekin më shumë sëmundjet…

8 hours ago

This website uses cookies.