Spiropali takim në Uashington me Eskobar: SHBA, mbështetje për integrimin e plotë në BE
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali gjatë vizitës në Uashington zhvilloi sot një takim me zëvendësndihmëssekretarin e Shtetit dhe të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar (o Gabriel Escobar).
Duke e quajtur një takim të shkëlqyer, Spiropali njofton në rrjetet sociale, se në takim u bisedua për marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve tona dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit.
“Biseduam gjerësisht për marrëdhëniet e veçanta mes dy vendeve tona, rolin e rëndësishëm të Shqipërisë në rajon, partneritetin e afërt në NATO dhe në Këshillin e Sigurimit, mbështetjen e SHBA për integrimin e plotë të Shqipërisë, Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan Spiropali.
Gjithashtu, theksoi Spiropali, në takim u diskutua edhe për “sulmet terroriste serbe në veri të Kosovës dhe nevojën për llogaridhënie nga Serbia, përmbylljen e dialogut të domosdoshëm mes Kosovës e Serbisë për normalizim dhe njohje, si dhe thellimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve tona”.