Spiropali takon kryeparlamentarin e Kosovës: Vijojmë bashkëpunimin për proceset integruese në BE
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka pritur këtë të premte (2 gusht) në një takim homologun e Kosovës Glauk Konjufca.
Spiropali deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë dhe Kosovës do punojnë bashkërisht për proceset integruese në Bashkimin Evropian. Spiropali theksoi se vizitën e parë si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë do ta mbajë në Kosovë.
“Jam e lumtur që vizitën e parë miqësore në zyrë pas marrjes së detyrës së Kryetares së Kuvendit, e pata nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Glauk Konjufca. Kuvendi i Shqipërisë dhe Kuvendi i Kosovës kanë ndërtuar një bashkëpunim vëllazëror të shkëlqyer, jo thjesht protokollar, por funksional dhe praktik, mes kryetarëve, komisioneve parlamentare, grupeve parlamentare dhe deputetëve”, u shpreh Spiropali.
Më tej Kryetarja e Kuvendit theksoi se Memorandumi i Bashkëpunimit, nënshkruar në shtator 2022, krijoi një kuadër të përbashkët për bashkëpunimin parlamentar, i cili u pasua nga mbledhja e përbashkët e dy Kuvendeve, me rastin e 110-vjetorit të pavarësisë, më 27 nëntor 2022.
“Të dy Kuvendet tona do të vijojnë të bashkëpunojnë për proceset integruese në BE, mbështetjen e pranimit të Kosovës në NATO, Këshillin e Europës dhe përfaqësimin në organizatat ndërkombëtare. Delegacionet e Kuvendit të Shqipërisë në organizatat parlamentare ndërkombëtare po lobojnë fort për rritjen e përfaqësimit, njohjeve dhe rolit ndërkombëtar të Kosovës”, u shpreh Spiropali.