Spiropali, thirrje demokratëve: Kthehuni në Kuvend dhe bëni punën tuaj
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar pas tensionit të krijuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali akuzon deputetët e përfshirë në situatën e tensionuar para nisjes së komisioneve në Kuvend, se janë në shkelje të plotë të rregullave të funksionimit të këtij Institucioni.
“Në shkelje të plotë të çdo ligji, rregulli dhe kodi, duke nëpërkëmbur detyrën dhe përdhosur misionin kushtetues, disa deputetë të opozitës, kanë dhunuar institucionet e Kuvendit duke dashur të pengojnë prezantimin e Buxhetit 2024 në Konferencën e Kryetarëve dhe në Komisione Parlamentare”, shkruan Spiropali.
Më tej ajo i bënë thirrje kolegëve të opozitës duke theksuar se, “të nderuar kolegë dhe kolege: nuk j’ua kanë fajin dyert e Kuvendit! Dera ku kanë thirrur të përgjigjet të parin tuaj, as hapet prej nesh, as mbyllet prej nesh. Koha kur ajo derë hapej për armiqtë dhe mbyllej për shokët, aleatët dhe miqtë ka marrë fund. Kuptojeni! Kthehuni në Kuvend dhe bëni punën tuaj”.