Sqarim mbi procedurat e ndjekura nga Këshilli Drejtues për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH
Nisur nga interesi publik dhe nevoja për transparencë mbi procesin e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, ekspertët ligjorë bënë për RTSH-në një sqarim të procedurave dhe rrugës së ndjekur nga Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar.
Kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së përcaktohen në nenet 10 dhe 11 të Statutit të Radio Televizionit Shqiptar, miratuar me vendimin nr.98, datë 22.12.2016, të Kuvendit të Shqipërisë. Për shkak të vakancës së krijuar, në mbështetje të nenit 10 të Statutit, Këshilli Drejtues i RTSH, me vendimin e datës 06.01.2025, përcaktoi periudhën e aplikimit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm, nga data 7 deri më 20 janar 2025.
Në mbështetje të nenit 11 të Statutit dhe vendimit të Këshillit Drejtues, kandidatët për postin e Drejtorit të Përgjithshëm dorëzuan në zarf të mbyllur te Kryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, dokumentacionin, sipas kritereve të shpallura, brenda 10 ditëve pas publikimit të tyre.
Në mbyllje të afatit rezultoi se kishin aplikuar 10 kandidatë sipas procesverbalit të firmosur nga kryetari i Këshillit Drejtues. Me mbarimin e afatit të aplikimit, sipas nenit 11, pika 2, të Statutit, Këshilli Drejtues ka për detyrë të bëjë vlerësimin e kandidaturave të paraqitura në mbështetje të dokumentacionit të dorëzuar, të verifikojë dhe saktësojë vërtetësinë e tyre dhe, me votim të fshehtë, të vendosë përfshirjen e tyre në konkurrim, duke i renditur sipas rendit alfabetik të mbiemrit.
Këshilli Drejtues zhvilloi mbledhjen e tij, thirrur nga kryetari i KD, më 27 janar 2025. Gjatë kësaj mbledhjeje është diskutuar për kandidatët dhe plotësimin e kritereve (siç vërtetohet nga procesverbali) dhe janë marrë 3 vendime (bashkëlidhur vendimet nr.3, nr.4 dhe nr.5).
Këshilli Drejtues, me vendimin nr.3, datë 27.01.2025, vendosi në unanimitet ngritjen e komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim për pozicionin “Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së”. Ky komision përbëhej nga Dionis Papadhimitri, Ardita Reçi dhe Genc Përmeti.
Këshilli Drejtues, me vendimin nr. 4, datë 27.01.2025, vendosi në unanimitet mospërzgjedhjen e 5 kandidatëve për mungesë dokumentacioni për futjen në konkurrim, si: Laureta Roshi, Florina Paskali, Flamur Buçpapaj, Harilla Koçi dhe Enrik Mehmeti.
Këshilli Drejtues, me vendimin nr.5, datë 27.01.2025, vendosi përzgjedhjen e kandidatëve të cilët plotësojnë kriteret për konkurrim, me këtë rezultat votimi:
- Kliton Rama 4 pro/5 kundër;
- Jetmir Shpuza 7 pro/2 kundër;
- Ermal Hoxha 3pro/6 kundër;
- Eni Vasili 4 pro/5 kundër;
- Aurora Polo 7 pro/2 kundër.
Sipas nenit 11, pika 3 e Statutit të RTSH-së, kandidatët që plotësojnë kriteret ftohen të paraqesin platformat e tyre para Këshillit Drejtues jo më vonë se 5 ditë nga data e përfundimit të afatit të aplikimit. Kandidatët kanë në dispozicion 15 minuta kohë për të paraqitur platformën e tyre dhe 15 minuta kohë për pyetje. Këshilli Drejtues, me vendimin nr.5, datë 27.01.2025, vendosi që në fazën e dëgjesës, si rezultat i votimit, të thirren: Jetmir Shpuza dhe Aurora Polo.
Në mbledhjen e Këshillit Drejtues u përcaktua dita e premte, datë 31 janar 2025, për zhvillimin e dëgjesave me kandidatët e thirrur.