Stabiliteti i Ballkanit, NATO mbështet normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi

NATO ka konfirmuar angazhimin e saj për stabilitet në Ballkanin Perëndimor, siç Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior u shpreh këtë të mërkurë në një deklaratë për shtyp.
Njoftimi përshkroi vizitat e fundit të kreut të aleancës ushtarake, Mark Rutte, në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, duke thënë se NATO-ja ka kontribuar për paqe dhe stabilitet në këtë rajon për 30 vite dhe do të vazhdojë të udhëheqë misionin e KFOR-it në Kosovë, që është misioni më i gjatë dhe më i madh i aleancës.
Në këtë kuadër, NATO-ja angazhohet për të vazhduar punën e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë.
Ndër të tjera thuhet se aleanca mbështet plotësisht normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ky është procesi i vetëm që mund të çojë në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.
Mark Rutte u bëri thirrje të dyja palëve që të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.
Në takimet e tij në Kosovë, kreu i NATO-s zhvilloi biseda me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Vizita e tij pasoi vizitën në Bosnjë-Hercegovinë, ku z. Rutte theksoi angazhimin e NATO-s për stabilitetin dhe sigurinë e këtij vendi. Ai theksoi se Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është themel i paqes dhe duhet të respektohet, duke u shprehur kundër çdo veprimi që mund të dëmtojë atë marrëveshje.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s siguroi se aleanca e Atlantikut Verior dhe partnerët ndërkombëtarë janë të angazhuar dhe do të parandalojnë krijimin e një vakuumi sigurie në rajon.