Starmer takon Melonin në Romë, Kryeministri britanik dhe homologia italiane diskutojnë çështjen e emigrantëve
Kryeministri britanik Keir Starmer në takimin e parë zyrtar në Romë me homologen italiane Giorgia Meloni do të diskutojnë çështjen e migracionit të paligjshëm. Kryeministri laburist, që u zgjodh me një shumicë dërrmuese në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar në korrik, është zotuar të luftojë migracionin e paligjshëm, një temë e nxehtë në politikën britanike prej vitesh.
“Këtu ka pasur një ulje dramatike të emigrantëve, kështu që unë dua të kuptoj se si ia dolët “, u shpreh Starmer nga Roma përpara takimit me homologen Meloni, ndërsa po vizitonte Qendrën kombëtare të koordinimit të migracionit me ministrin e brendshëm të Italisë, Matteo Piantedosi.
Mesditën e kësaj të hëne, Starmer u prit me një ceremoni mirëseardhjeje nga kryeministrja Georgia Meloni, ndërsa mediat italiane raportojnë se pika kyçe e vizitës së tij në Romë është marrëveshja për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë e nënshkruar gati një vit më parë kryeministrat Rama dhe Meloni.
Vetë kryeministri britanik u shpreh më herët se ishte i interesuar të dinte se si funksiononte skema e dakordësuar mes Italisë dhe Shqipërisë për çështjen e emigrantëve. Starmer në këtë vizitë shoqërohet nga Martin Hewitt. Ai do të drejtojë komandën elitare policore, përgjegjëse për sigurinë kufitare në Mbretërinë e Bashkuar, krijimin e së cilës qeveria laburiste e njoftoi pak orë pas mbytjes së një anijeje me emigrantë në Kanalin anglez.
Tetë emigrantë humbën jetën të dielën pasi varka e tyre e tejmbushur u fundos në Kanalin midis Francës dhe Anglisë, duke e çuar në 46 numrin e njerëzve që kanë humbur jetën këtë vit, që përpiqen të arrijnë brigjet britanike. Ndërkohë udhëtimi i Starmer në Itali ka nxitur kritika, madje edhe brenda partisë së tij.