Statistikat e trajnerit/ Inzagi dhe ditëlindja… rekord

Trajneri i Interit feston ditëlindjen e tij të 48-të dhe 150 pankinat zikaltër, por për titullin e parë kampion në Serie A i duhet të bëjë ende durim. Trajneri nga Piaçenca po shijon në maksimum momentin pasi Interi i tij po vendos rekode pas rekordhesh nga java në javë.
Vetëm Interi i Mançinit numëronte kaq pikë pas javës së 30-të sa ka grumbulluar këtë vit skuadra e Inzagit. Emra si Trapatoni dhe Murinjo nuk kanë bërë kaq mirë. Skuadra e Inzagit ka 79 pikë dhe synon të kalojë kuotën e 100 pikëve. Skuadra e “Manços” (’04-’08) u ndal në 97.
Në një klasifikim të veçantë, të trajnerëve të Interit me më shumë se 100 ndeshje në periudhën e pas luftës, Inzagi është më i miri për nga mesatarja e pikëve për ndeshje. 48-vjeçari po ecën me ritme të forta pasi ka grumbulluar 2.17 pikë për 90’. Ndërsa Murinjo e ndjek me 2.12 pikë për ndeshje.
Prej momentit kur u ul në stolin zikaltër Inzagi ka fituar pesë trofe (tre Superkupa të Italisë dhe dy Kupa të Italisë).