“Sterilizimi”, Beqaj del me valixhe nga SPAK: Kam dokumentet, dosja është e madhe
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka dalë këtë të premte (31 maj) nga ambientet e SPAK me një çantë dhe valixhe me dokumentet që e akuzojnë atë për koncesionin e sterilizimit.
Pyetur nga gazetarët jashtë ambienteve të SPAK se çfarë përmbante valixha, Beqaj u përgjigj se “ka dokumenta, derisa dosja është e madhe”.
Më 18 mars, ish-ministrit iu komunikua akuza për shpërdorim detyre në lidhje me dosjen e koncesionit të sterilizimit.
Kujtojmë se ish-ministri ka marrë në mënyrë elektronike, nëpërmjet një USB-je të gjithë fashikujt e dosjes hetimore ndaj tij, më 24 prill.
Më herët, Beqaj ka deklaruar se dosja hetimore, përpos dokumenteve në fletë, përmban edhe CD, DVD, USB dhe disqe të cilat nuk mund të merren të skanuara.
Sipas SPAK, ish-ministri ka konsumuar veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me procedurat e ndjekura për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë euro.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, u bë arrestimi i biznesmenit Ilir Rrapaj dhe zëvendësit të tij në Ministrinë e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Koncesioni i sterilizimit kaloi në duart e prokurorëve të SPAK në korrik 2022, të cilët nisën hetimin për të zbardhur procedurat e dhënies me koncesion të këtij shërbimi.
Për dosjen e sterilizimit janë marrë të pandehur edhe 8 persona të tjerë, ndërsa pritet që SPAK të dorëzojë dosjen në GJKKO me kërkesën për nisjen e gjykimit.