“Sterilizimi” dhe “Check Up-i” nesër afatin e fundit, opozita kërkon shtyrjen e punimeve: Të dëshmojë Rama
Komisioni Hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check Up-in” përfundon afatin e punimeve ditën e nesërme (22 tetor), ndërsa shumë prej dëshmitarëve nuk kanë mundur të dëshmojnë.
Ka qenë pikërisht kjo çështje e cila është bërë objekt diskutimi e debati në mbledhjen e sotme të komisionit.
Opozita nga ana e saj ka kërkuar shtyrjen e punimeve të komisionit, deri në dëgjesat e të gjithë dëshmitarëve.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi ka dejlaruar se edhe Kryeministri Edi Rama duhet të dëshmojë në komisionin hetimor.
Vokshi akuzoi mazhorancën se nuk po zbaton ligjin dhe Kushtetutën dhe se po e kthen komisionin në han me dy porta.
“Se bëjmë dot han me dy porta se kështu e doni ju. Nëse mendoni se do i kaloni përciptazi e keni gabim. Nuk arrij të imagjinoj se kemi arritur deri te kjo listë, kjo mungesë serioziteti në komision. E keni uzurpuar, por të paktën një anë formale mbahet. Sot është data 21, nesër si e keni menduar? Se po nuk u bë kërkesa sot, nuk mblidhet dot komisioni.
Nëse sot nuk merret vendim për shtyrje komisioni, nuk kalojnë dot nesër raportet. Ja i morët Ogertën, Albanën, Shkëlqim Cani, etj, po çfarë do bëni nesër? Se më 22 është afati i fundit.
Në këtë komision duhet të vijë Edi Rama. Opozita ka të drejtë të kërkojë çdo person që ka qenë i përfshirë në objektin e këtij komisioni hetimor. Opozita ka kërkuar të vijë Rama dhe s’mund të mbyllet komisioni pa ardhur Rama. Ju bëj thirrje tërhiquni. Ta fusim komisionin në hullitë e ligjshmërisë.
Interesi publik është më i madh se interesi politik. Doni të shpëtoni Ramën, Beqajn Të rishikojmë planin e mbetur, listën e dëshmitarëve, të bëj, më kërkesë për shtyrje të komisionit dhe të vijojmë si duhet. Votat i keni, pse ju duhet kryesimi e drejtimi. Të zbatojmë rregulloren. ligjin për funksionimin e komisioneve hetimore, Kushtetutën”, deklaroi Vokshi.
Nga ana e tij, zv.kryetari i komisionit Plarent Ndreca u shpreh se është opozita ajo e cila ka tentuar të pengojë punën e komisionit.
“Nëse ka një palë në këtë sallë që ka tentuar të pengojë punën e komisionit, është pala juaj. Kemi detyrim të respektojmë afatet. Jeni ju që bazuar në vendime partiake, keni penguar punën e komisionit. Pavarësisht tendecave për të trysnuar komisionin, për të intimiduar, për të ndikuar në organe që janë jashtë Parlamentit, i kam të qarta.
Për shkak se jemi shumicë parlamentare dhe kemi përgjegjësinë për të respektuar Kushtetutën, kemi treguar durim maksimal”, deklaroi Ndreca.