Stërvitja “Austere Wolf-24”, Vengu: Të rrisim bashkëpunimin me aleatët
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi në ceremoninë hapëse të stërvitjes së përbashkët mes trupave shqiptarë dhe britanike “Austere Wolf-24” se misioni i Shqipërisë është forcimi i sigurisë dhe rritja e bashkëpunimit me aleatët.
Një mbrojtje moderne, u shpreh ministri Vengu, kërkon një infrastrukturë të fortë. Në këtë kuadër, ministri siguroi se Shqipëria po punon fuqimisht.
“Një mbrojtje moderne kërkon një infrastrukturë të fortë, dhe të mirëmbajtur, dhe ne po punojmë fuqimisht në këtë aspekt. Misioni ynë është që të forcojmë sigurinë dhe duhet rritur bashkëpunimi me aleatët tanë”, u shpreh Vengu.
Ministri Vengu deklaroi më tej se stërvitjet si kjo e sotmja tregojnë angazhimin e Shqipërisë në përmirësimin e kapaciteteve të gatishmërisë operacionale dhe infrastrukturës.
Ai shtoi se vendndodhja gjeografike mes vendeve nuk është e afërt, por ajo bëhet e papërfillshme kur vjen puna për interesat e përbashkët strategjikë të NATO-s.
E në këtë kuadër, ministri u ndal te Korridori VIII, ku nënvizoi se Shqipëria tregon jo vetëm rritjen e aftësive ushtarake, por edhe kapacitetet e saj logjistike për operacionet aleate.
“Kënaqësi t’iu përshëndes me rastin e kësaj stërvitje dhe të shohim forcat tona të ndërveprojnë me këtë intensitet. Angazhimi në këto stërvitje është një nevojë e të dyja forcave dhe një përgjigje ndaj realiteti të sigurisë në rajon.
Këto stërvitje tregojnë angazhimin tonë në përmirësimin e kapaciteteve gatishmërisë operacionale dhe infrastrukturës si parakusht për këtë gatishmëri. Vendndodhja gjeografike mes vendeve nuk është e afër, por ajo bëhet e papërfillshme kur vjen puna për interesa të përbashkëta strategjike të NATO. Prandaj Korridori VIII tregon jo vetëm rritjen e aftësive tona ushtarake por edhe rolin e Shqipërisë si një mënyrë logjistike për operacionet aleate. Në samitin e NATO-s, vendi ynë bashkë me Bullgarinë, Italinë dhe Maqedoninë e veriut ndërmorën një hap të rëndësishëm me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë ushtarake të trupave të NATO-s përgjatë korridorit VIII. Shqipëria konfirmon përkushtimin e plotë për të çuar para planet e zhvillimit infrastrukturore dhe këtu del në skenë infrastruktura portuale në Durrës dhe Durrës-Porto Romane, pjesë jetike për të hyrë ne korridorin VIII dhe pjesë jetike për një logjistikë dhe një lëvizshmëri operacionale të rrjedhshme në gjithë rajonin”, u shpreh ministri.