Stoku i depozitave në euro arriti në 7.5 miliardë euro
Banka e Shqipërisë bëri të ditur se kursimet në valutë në sistemin bankar, shënuan rritje në muajin prill 2024.
Duke iu referuar statistikave të bilancit të pagesave, publikuar të enjten nga BSH-ja, në prill, stoku i depozitave në euro arriti në 7.5 miliardë euro. Kjo është një rritje prej 1.5 %, ose 110 milionë euro më shumë.
Sipas BSH-së, rritja e depozitave bankare në muajin prill erdhi si nga bizneset, ashtu dhe nga individët.
Me bazë vjetore, depozitat në valutë janë rritur me 15.3% (prill 2024/prill 2023), ose 993 milionë euro më shumë.
Referuar statistikave për depozitat në monedhën vendase, stoku i kursimeve shënoi 581 miliardë lekë në fund të prillit, me një tkurrje prej 1.2 % (7.8 miliardë lekë më pak) në krahasim me muajin e mëparshëm.
Me bazë vjetore (prill 2024/prill 2023), kursimet në lekë janë rritur me 2.8 %, ose 34 miliardë lekë më shumë.
Sipas BSH-së, 45 % e kursimeve janë në monedhën vendase dhe 55 % në valutë, kryesisht në euro.