Stoltenberg: Ballkani në situatë të brishtë. Trupat shtesë sigurojnë stabilitetin në Kosovë
Ballkani Perëndimor është me rëndësi të madhe strategjike për NATO-n, deklaroi të premten shefi i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës u takua ditën me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq (o. Spajic), për të folur mbi zotimet euroatlantike të vendit dhe gatishmërinë e NATO-s për të ndihmuar Podgoricën në sfidat ushtarake.
Megjithëse ka prezencë të konsiderueshme në rajon, Stoltenberg veçoi në konferencën e përbashkët tentativat për ta destabilizuar atë. Kosova ishte kryefjalë në këtë pikë.
“Shpërthimet e dhunës të vitit të kaluar ishin të papranueshme. Prandaj reaguam me shpejtësi duke sjellë 1 mijë trupa shtesë dhe armatime të rënda, që KFOR-i të përmbushë mandatin e OKB-së. Ky ishte mesazhi kryesor që dhashë kur vizitova Kosovën vjeshtën e shkuar dhe jemi duke vlerësuar vazhdimisht nevojat, për ta konfiguruar më tej prezencën tonë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit është e vetmja mënyrë për një zgjidhje afatgjatë,” u shpreh z. Stoltenberg.
Kryeministri Spajiq shtoi se situata e qetë në Kosovë është edhe në interesin e Malit të Zi.
“Ne jemi rrethuar nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe është në interesin tonë kombëtar që BP-ja të jetë i paqmë, i begatë, pa u ndikuar keq nga jashtë dhe duke pasur mundësinë të bëhet pjesë e vërtetë e NATO-s, Europës, BE-së dhe organizatave të tjera demokratike, të cilat po e ndihmojnë rajonin të bëjë përpara në kuptimin e ekonomisë dhe demokracisë,” deklaroi kryeministri i Malit të Zi.