Categories: BotaLajme

Stoltenberg: NATO e gatshme për ndihmë afatgjate ndaj Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten se aleanca ushtarake duhet ta zgjerojë rolin e vet në mbështetjen e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit të paprovokuar nga Rusia, si dhe t’ia bëjë të qartë Moskës se mbështetja perëndimore për Kievin do të vazhdojë sa të jetë e nevojshme.

“Ne duhet të sigurohemi që Moska ta kuptojë se ne jemi të gatshëm për mbështetje afatgjate për Ukrainën”, tha Stoltenberg për gazetarë, në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë.

Në takimin e NATO-s në kryeqytetin çek, në të cilin po merr pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, do të diskutohet për një paketë të ndihmës për Ukrainën, e cila do të paraqitet në samitin e NATO-s në Uashington në korrik.

Gjatë takimit të ministrave pritet të bisedohet për një plan të paraqitur nga Stoltenbergu në prill, që ka të bëjë me një kornizë, e cila do ta bartte përgjegjësinë për ndihmë ushtarake dhe civile për Ukrainën nga një grup joformal i udhëhequr nga SHBA-ja, te strukturat formale të aleancës.

NATO-ja nuk e furnizon zyrtarisht Kievin me armë vdekjeprurëse ushtarake. Por vende individuale të NATO-s ka kohë që e furnizojnë atë përmes Grupit të Kontaktit për Ukrainën (UCG), një nismë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e cila joformalisht njihet si Grupi Ramshtajn.

“Ne do të bisedojmë si ta ruajmë dhe përshpejtojmë mbështetjen për Ukrainën. Unë kam propozuar që NATO-ja të luajë rol më të madh në bashkërendimin e furnizimit me ndihmë të sigurisë dhe stërvitje për Ukrainën. Kam propozuar gjithashtu edhe një zotim financiar shumëvjeçar, për të garantuar më shumë llogaridhënie dhe parashikueshmëri në mbështetjen që ia ofrojmë Ukrainës”, tha Stoltenberg.

Ministrat me gjasë do të bisedojnë për lejimin e Kievit që t’i përdorur armët me të cilat e furnizon Perëndimi për të kryer sulme brenda Rusisë. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania u pajtuan që Ukraina t’i përdorë armët e tyre për një gjë të tillë, por me kusht të caktuara.

Kievi ka “të drejtë me ligj ndërkombëtar ta mbrojë veten” kundër sulmeve që i bëhet prej Rusisë, afër kufirit me Ukrainën, tha Steffen Hebestreit, zëdhënësi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ndërkohë, sqaroi se Ukrainës i lejohet t’i përdorë armët e saj “vetëm për t’i luftuar sulmet ruse” në rajonin e Harkivit, i cili është duke u sulmuar pareshtur nga Rusia javët e fundit.

Stoltenberg e përsëriti të premten se aleatët duhet ta shqyrtojnë heqjen e kufizimeve për përdorimin e armëve të NATO-s nga Ukraina për t’i goditur caqet në territorin rus, sepse është pjesë e së drejtës së Kievit për vetëmbrojtje.

RTSH Shkodra

Recent Posts

Nga Allegri te Conte, 4 kandidatë për stolin e Juventusit

Duket se aventura e Thiago Mottës në krye të pankinës së Juventusit do të përfundojë…

5 hours ago

Roma, skuadra që ka grumbulluar më shumë pikë në vitin 2025

Askush nuk po bën më mirë se Roma e Ranierit në Evropë: që nga fillimi…

5 hours ago

Kuqeblutë, triumf i thellë në kryeqytet – Vllaznia e futsallës mundi thellë Partizanin me rezultatin 9 me 2

Kalendari i javës së dytë të Kampionatit të Futsallës e ka vendosur ekipin e Vllaznisë…

5 hours ago

Shqiptarët e diasporës – Greta Rraboshta është shembulli i historisë frymëzuese të integrimit në shtetin belg

Historitë frymëzuese të shqiptarëve në diasporë janë shtuar gjithnjë e më shumë vitet e fundit…

5 hours ago

Korpusi i Paqes vizitë në Pukë – Vullnetarët u njohën nga afër me resurset që ofron zona

Një grup vullnetarësh nga Korpusi i Paqes i SHBA-së, i cili do të angazhohet në…

6 hours ago

Shërbimi i transportit urban – Nis vendosja e stolave pritës pranë stacioneve

Pajisja me stola pritës në vendqëndrimet e urbanëve është kërkesa e qytetarëve shkodranë e veçanërisht…

6 hours ago

This website uses cookies.