Stoltenberg: Ukraina ka të drejtë të sulmojë objektiva brenda Rusisë
“Ukraina ka të drejtë të sulmojë objektiva brenda Rusisë“, kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg gjatë një konference për shtyp me kryeministrin suedez, Ulf Kristerson në një bazë ushtarake pranë Stokholmit.
Ai shtoi se kjo është një e drejtë për vetëmbrojtje kundrejt agresorit, pra Rusisë.
“E drejta për vetëmbrojtje përfshin gjithashtu të drejtën për të goditur objektiva legjitime, ushtarake në territorin e palës sulmuese, agresorit në këtë rast Rusisë. Kjo është një luftë agresioni e nisur nga Rusia kundër një vendi fqinj paqësor dhe demokratik, Ukrainës i cili në asnjë moment nuk ka paraqitur kërcënim për Rusinë. Nuk ka dyshim se Ukraina ka të drejtë të godasë objektivat në territorin rus“, tha ai.
Deklarata e Stoltenberg erdhi në vazhdën e vendimit të SHBA për t’i dhënë së fundmi Ukrainës lejen për të përdorur armët amerikane në territorin rus pranë Kharkiv.