Strategjia e re kundër korrupsionit 2024–2030, do zbatohet në institucionet vendore
30 institucioneve shtetërore iu prezantua drafti për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030, duke çelur kështu sipas ministres së Shtetit, Adea Pirdeni, konsultimet publike që do të vijojnë me grupe të ndryshme.
“Kjo strategji është e strukturuar në tri qëllime të mëdha politike: çështjet që kanë të bëjnë më së shumti me parandalimin e korrupsionit. Nëse shikoni, pjesa më e madhe e objektivave specifikë të kësaj strategjike, përkatësisht 9 objektiva, përfshihet te qasja parandaluese pikërisht për të theksuar edhe një herë që nevoja e këtij dokumenti është qasja sistemike te parandalimi i korrupsionit,” deklaroi ministrja Pirdeni.
Me fokus sektorët vulnerabël ndaj korrupsionit, përfshirë shëndetësinë, tatimet, doganat dhe arsimin, strategjia synon të ofrojë një kuadër të përmirësuar ndjeshëm të koordinimit të gjithë institucioneve përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit.
“Kemi parë gjithashtu se gjatë kësaj periudhe kohore, të gjitha ankesat, denoncimet, fokusohen në këto fusha, të cilat janë më të ndjeshme jo vetëm për qytetarët, por edhe për bizneset. Fokusi i kësaj strategjie është të dedikojë vëmendje të veçantë tv gjithë sektorëve që konsiderohen vulnerabël për korrupsion në Shqipëri,” u shpreh ministrja, duke u ndalur edhe në problematikat e sfidat për të cilat janë propozuar masa, mjete dhe metoda luftimi të korrupsionit në vend.
Diskutimet e hapura për Strategjinë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2024–2030 do të vijnë edhe përgjatë kësaj jave me përfaqësues të bizneseve dhe me dhomat e tregtisë, me përfaqësues të medies, shoqërisë civile dhe akademikë, si dhe do të ketë diskutime me përfaqësues të vetëqeverisjes vendore.