Strehëz e dytë për katërputrakët, kryebashkiaku Benet Beci inspekton strehëzën e qenve endacakë
Ndërtimi i strehëzës provizore të qenve endacakë nga Bashkia Shkodër ka sjellë edhe përmiresimin e situatës lidhur me praninë e tyre në rrugët e qytetit. Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar nga afër këtë strehëz, e cila është vënë në funksion të plotë ndërkohë që është e paisur me kushtet e domosdoshme, por edhe me mjekët veterinerë në shërbim të katërputrakëve.
Ai u shpreh se ka një situatë të përmirësuar ndjeshëm në rrugët e qytetit, çka është evidentuar edhe nga qytetarët, ndërkohë që pritet që të nisë puna edhe për ndërtimin e strehëzës pranë ish-repartit ushtarak.
Bashkia Shkodër, me nisjen e këtij viti e ka pasur në fokus të punës së saj largimin nga rrugët e qytetit të qenve endacakë, një pjesë e të cilëve ishin kthyer në rrezik serioz për banorët. Falë punës nga Drejtoria e Bujqësisë e Bashkisë Shkodër është bërë grumbullimi i tyre dhe strehimi pranë dy strehëzave që janë nën administrimin e saj, por duke vijuar edhe bashkëpunim me shoqatat që merren me mbrojtjen e katërputrakëve.