Stresi dhe ankthi para provimeve, psikologia Tomaj: Duhet kushtuar vëmendje kësaj gjendje
Qershori nuk është vetëm një muaj i bukur vere plot aktivitete dhe argëtim. Ai është gjithashtu edhe muaji i provimeve si ato të lirimit, maturës apo të universitetit. Koha e sezonit rrit ngarkesën emocionale tek të rinjtë dhe për rrjedhojë krijohet gjendja e padëshiruar e ankthit si rezultat i stresit të akumuluar.
Përsa kohë kjo gjendje është e shkurtër dhe nuk rrezikon të zgjasë nuk është diçka për t’u shqetësuar shprehet psikologia klinike Loreta Tomaj.
Por ç’duhet bërë që kjo gjendje emocionale të mos kushtëzojë ecurinë dhe normalitetin e një të riu?
Studimet kanë treguar se për shkak të ndikimit të stresit tek studentët gjatë periudhës së provimeve kemi rritje të shkallës së inflamacioneve krahasuar me periudha kur nuk kanë provime.
Kjo ndodhë për shkak se stresi ndikon në sistemin imunitar të organizmit duke shkaktuar rënien e imunitetit.