Studentët e Mjekësisë protestë para Ministrisë së Arsimit, kërkojnë përballje me Manastirliun
Studentët e Universitetit të Mjekësisë kanë dalë sërish sot në protestë përpara Ministrisë së Arsimit për të kërkuar një përballje me ministren Ogerta Manastirliu për t’i paraqitur kësaj të fundit argumentet e tyre për anulimin e ligjit që i detyron ata të punojnë në Shqipëri, me qëllim tërheqjen e diplomës.
Gazetarja Keti Toroveci ka dhënë për RTSH 24 detaje nga protesta e studentëve. Toroveci bën me dije se studentët shprehen se ligji për arsimin e lartë cenon liritë dhe të drejtat e tyre dhe i detyron ata që të paguajnë tarifa të larta që nuk përkon me cilësinë që ofron Universiteti i Mjekësisë.
“Kërkojnë përballje me ministren Ogerta Manastirliu për të dhënë argumentet për anulimin e ligjit për arsimin e lartë.
Studentët thonë se ligji që i detyron të punojnë 2-3 vite në Shqipëri cenon të drejtat dhe liritë e tyre, pasi i detyron që të paguajnë tarifa të larta që nuk përkon me cilësinë që ofron Universiteti i Mjekësisë.
Në fund të studimeve, ligji parashikon që mjekët e rinj të vendosen në institucione shëndetësore shtetërore.
Më herët këto tarifa kanë qenë shumë më të reduktuara. Tarifa ka qenë 450 mijë lekë të vjetra. Studentët me mesatare 6-9 paguanin gjysmën e tarifës dhe studentët me mesataren 9-10 përjashtoheshin nga kjo tarifë. Studentët me mesatare 5-6 paguanin tarifën e plotë”, tha Toroveci.
Një javë më parë, Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë përcaktoi koston prej 2500 eurosh për studentët të cilët përfundojnë studimet dhe duan të tërheqin diplomën pa qenë nevoja të punojnë në Shqipëri.
Qeveria mori më 5 korrik vendimin në lidhje me diplomimin e studentëve të mjekësisë. Sipas ligjit, studentët e vitit të parë të Universitetit të Mjekësisë, që të pajisen me diplomë, do u duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri, dhe më pas mund të bëjnë tërheqjen e diplomës.
Ndërsa studentëve nga viti i dytë në të gjashtin, do u duhet që të nënshkruajnë një marrëveshje ku angazhohen se do të qëndrojë: përkatësisht studentët nga viti i dytë në të katërtin, tre vite punë në Shqipëri para diplomimit; dhe studentët e vitit të pestë dhe të gjatë të Mjekësisë, 2 vite punë me qëllim diplomimin.