Studentja Emira Selimi hap bibliotekën e parë shqipe në Manastir
Studentja nga Shkupi Emira Selimi realizoi qëllimin dhe dëshirën e saj duke hapur bibliotekën e parë shqipe në qytetin e Manastirit. E ftuar në emisioni “Jetë Shqiptare”, ajo rrëfen fillimet e kësaj iniciativë, si edhe për mbështetjet që ka pasur madje edhe nga figura të njohura publike.
“Tani ndjehem shumë më e qetë, pra pas hapjes së bibliotekës, mirëpo tani është përgjegjësia e mirëmbajtjes së saj. Ndjehem më e motivuar sidomos kur frekuentohet nga fëmijë. Më ka motivuar shprehja; njerëzit do të ndahen nga kjo jetë por, e rëndësishme është të bëjmë vepra të mira, vepra që nuk do të vdesin kurrë. Kam pasur momente të vështira, por në asnjë moment nuk jam dorëzuar falë edhe mbështetjes së të dashurve të mi. Kam pasur mbështetje edhe nga figurat publike, institucionet nga Shqipëri dhe Kosova, ndërsa më pak nga Maqedonia e Veriut.” shprehet ajo.
Por pas kësaj arritje fshihen dhe anë të errëta pasi studentja tregon që përveç mbështetjes është ndeshur dhe me kërcënime për mos hapjen e bibliotekë.
“Kam pasur edhe momente të vështira deri në kërcënime, pra më kanë penguar hapjen e bibliotekës. Në fiilim të nismës ka pasur njerëz që më kanë shkruar direkt, por nuk kanë munguar edhe në mënyrë indirekte. Nuk kam pasur kontakte me ata, por kishin si qëllim përdhosjen e imazhit, me argumentin se ajo ëhstë vetëm një studentë, pra kush është ajo që të hapë një bibliotekë. Donin të më dëmtonin emocionalisht që të tërhiqesha që të mos e hapja”, tregon ajo.
Studentja tregon se momentalisht ka rreth 10 mijë libra në bibliotekë, më së shumti me motive kombëtare.