Studimi: Antarktida ka humbur 7.5 trilion ton akull që nga viti 1997
Më shumë se 40% e rafteve të akullit të Antarktidës janë tkurrur që nga viti 1997. Është ky studimi i bërë së fundmi nga shkencëtarët e Universitetit të Leeds, sipas së cilëve Antarktida ka humbur 7.5 trilion ton akull që nga viti 1997.
Shkencëtarët besojnë se humbja e akullit është rezultat i krizës klimatike.
Dr Benjamin Davison, një ekspert në vëzhgimin e Tokës dhe drejtuesi i studimit, tha: “Ka një pamje të përzier të përkeqësimit të rafteve të akullit, dhe kjo ka të bëjë me temperaturën e oqeanit dhe rrymat e oqeanit rreth Antarktidës. Gjysma perëndimore është e ekspozuar ndaj ujit të ngrohtë, i cili mund të gërryejë me shpejtësi raftet e akullit nga poshtë, ndërsa pjesa më e madhe e Antarktidës lindore aktualisht mbrohet nga uji i ngrohtë aty pranë nga një brez me ujë të ftohtë në bregdet”.
Shkencëtarët matën ndryshimet nga viti në vit në akull duke përdorur satelitë që mund të shohin përmes reve të trasha gjatë netëve të gjata polare.
Studiuesit panë më shumë se 100,000 imazhe të marra nga hapësira për të analizuar shëndetin e rafteve të akullit, të cilat mund të kenë efekte të dëmshme për pjesën tjetër të globit, dhe i publikuan gjetjet e tyre në revistën Scientific Advances.
Raftet e akullit qëndrojnë në fund të akullnajave dhe ngadalësojnë shpejtësinë e tyre të rrjedhjes në det. Kur ato tkurren, akullnajat lëshojnë sasi më të mëdha të ujit të ëmbël në det, gjë që mund të prishë rrymat e Oqeanit Jugor.