Studimi: Shpyllëzimi po i shtyn kafshët të hanë lakuriqë nate të ngarkuar me viruse
Kafshët në një pyll të Ugandës kanë ngrënë lakuriqë nate me viruse, pasi bujqësia e duhanit fshiu burimin e tyre të zakonshëm të ushqimit, ka zbuluar një studim.
Një virus i lidhur me Covid-19 ishte në mesin e 27 të identifikuarve në ushqimin e ngrënë nga shimpanzetë, antilopat dhe majmunët.
Studiuesit thonë se ky zbulim hedh dritë mbi mënyrën se si viruset e reja mund të përhapen nga kafshët e egra te njerëzit.
Kafshët u monitoruan në një studim nga Universiteti i Stirling dhe Universiteti i Wisconsin-Madison.
Projekti gjashtëvjeçar u nxit kur Dr Pawel Fedurek nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës dhe Universiteti i Skocisë i Stirling vëzhguan shimpanzetë e egra në pyllin Budongo duke ngrënë jashtëqitjet e grumbulluara të lakuriqëve të natës, të njohur si guano, nga zgavra e një peme dhe lakuriqw nate.
Në korrik 2017, ai vendosi kamera të cilat kapën edhe specie të tjera duke ngrënë. Sipas studimit të rishikuar nga kolegët, i cili shfaqet në revistën Nature, guano është një “burim alternativ i mineraleve thelbësore” për kafshët pasi palmat që ata konsumonin dikur u “korrën deri në zhdukje”. Pemët u përdorën nga vendasit në Budongo për të tharë gjethet e duhanit, të cilat më pas iu shitën kompanive ndërkombëtare.
Për pak më shumë se gjashtë muaj, studiuesit mblodhën mostra të guanos nga zgavra e pemës nga e cila u filmuan kafshët duke ngrënë. Analiza laboratorike identifikoi disa viruse, duke përfshirë një të lidhur me SARS-CoV-2, virusi që shkaktoi pandeminë Covid-19.
“Mbetet e panjohur nëse betakoronavirusi i gjetur në guano është i transmetueshëm te njerëzit, por ai ofron një shembull se si infeksionet e reja mund të kapërcejnë barrierat e specieve”, thuhet në një njoftim për shtyp nga Universiteti i Stirling.
“Rreth një e katërta e 27 viruseve që identifikuam ishin viruse të gjitarëve, pjesa tjetër ishin viruse të insekteve dhe jovertebrorëve të tjerë,” tha Prof Tony Goldberg, nga Universiteti i Wisconsin-Madison, në SHBA.
“Të 27 viruset ishin të rinj për shkencën, kështu që ne nuk e dimë se çfarë efektesh mund të kenë tek njerëzit ose kafshët e tjera. Por një virus u dallua sepse ishte një i afërm i një virusi që të gjithë e njohin: SARS coronavirus 2. Kërkimi ynë ilustron se si një formë delikate e shpyllëzimit selektiv, e nxitur përfundimisht nga një kërkesë globale për duhan, mund të ekspozojë jetën e egër dhe, si rrjedhojë, njerëzit ndaj viruseve që banojnë në guanon e lakuriqëve të natës, duke rritur rrezikun e përhapjes së virusit”, theksoi ai.
Studiuesit shpresojnë që gjetjet e tyre të bëjnë të mundur ndërhyrjen në transmetimin e viruseve midis specieve dhe në fund të ndihmojnë në parandalimin e pandemive të ardhshme./ BBC