Stuhia “Babet” godet Anglinë/ Meteorologët: Përmbytje do ketë deri të martën
Agjencitë mjedisore britanike kanë paralajmëruar se përmbytjet e shkaktuara nga stuhia “Babet” mund të zgjasin deri të martën e ardhshme pasi dukuria natyrore goditi Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe disa pjesë të Europës.
Në Angli dhe Skoci tre persona humbën jetën si pasojë e stuhisë. Në qytetin skocez të Brechin qindra persona u evakuuan nga banesat e tyre pasi lumi Esk doli nga shtrati.
Në pjesë të tjera të Skocisë, ku u aktivizua alarm i kuq për kushtet ekstreme të motit, shumë shtëpi kanë pësuar dëme të rënda.
Këtë të diel, banorëve të 500 shtëpive në qytezën Nottinghamshire në Angli iu është kërkuar të evakuohen pas rritjes së nivelit të ujërave të lumit Idle.
Përmbytje ka patur edhe në qytetet gjermane të Flensburg dhe Kiel, pasi niveli i ujit në gjirin e Kielit dhe fjordin e Flensburgut ishte dy metra mbi normë.
Edhe zona bregdetare në Danimarkë janë goditur nga stuhia. Përmbytje janë raportuar në disa qytete, ku autoritetet thanë se ishin regjistruar mbi nivelet më të larta të ujit të 100 viteve të fundit.