Subvencionimi për panele diellore, së shpejti hapet faza e dytë e aplikimeve
Për të kursyer sa më shumë energji elektrike dhe për të reduktuar faturën, konsumatorëve shqiptarë iu ofrua instalimi i paneleve diellore për ngrohjen e ujit me financim 70 përqind nga buxheti i shtetit.
Së shpejti Qeveria Shqiptare pritet të hapë fazën e dytë të aplikimeve për subvencionimin e qytetarëve për vendosjen e tyre ku pritet të përfitojnë 2 mijë familje.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila bëri me dije se nga nëntori 2022 deri në korrik 2023 numërohen 1987 njësi të montuara.
Sipas qytetarëve korçarë që e përfituan këtë subvencionim në masën 70 përqind është një lehtësi e madhe, pasi kursejnë gati gjysmën e energjisë së harxhuar më parë për ngrohjen e ujit.
Kjo nismë e qeverisë e ndërmarrë një vit më parë ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike si dhe diversifikimin e burimeve përmes përdorimit të energjisë diellore.