Suedia një hap më pranë anëtarësimit në NATO, Turqia miraton kërkesën e vendit nordik për t’iu bashkuar aleancës
Pas disa refuzimeve, Turqia i ka hapur rrugën anëtarësimit të Suedisë në NATO. Komiteti i Punëve të Jashtme i Parlamentit turk dha miratimin e tij për kërkesën e Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, duke e afruar vendin nordik me anëtarësimin në aleancën ushtarake perëndimore.
Protokolli i pranimit të Suedisë tani do të duhet të miratohet në asamblenë e përgjithshme për fazën e fundit të procesit legjislativ në Turqi. Asnjë datë nuk është caktuar.
Turqia, një anëtare e NATO-s, ka vonuar ratifikimin e aplikimit të Suedisë për më shumë se një vit, duke akuzuar vendin se është shumë i butë ndaj grupeve që Ankaraja i konsideron si kërcënime për sigurinë e saj, duke përfshirë militantët kurdë dhe anëtarët e një rrjeti që Ankarajai fajëson për një grusht shteti të dështua në vitin 2016.
Komiteti i punëve të jashtme i parlamentit turk kishte filluar diskutimin e anëtarësimit të Suedisë në NATO muajin e kaluar. Takimi megjithatë u shty pasi ligjvënësit nga partia në pushtet e Erdogan paraqitën një mocion për një shtyrje me arsyetimin se disa çështje kishin nevojë për më shumë sqarime dhe se negociatat me Suedinë nuk ishin “pjekur” sa duhet.
Të martën (26 dhjetor), shumica e ligjvënësve në komitet votuan në favor të kërkesës së Suedisë për t’u bashkuar.
Suedia dhe Finlanda braktisën pozicionet e tyre tradicionale të mosangazhimit ushtarak për të kërkuar mbrojtje nën “ombrellën” e sigurisë së NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Finlanda iu bashkua aleancës në prill, duke u bërë anëtarja e 31-të e NATO-s, pasi parlamenti i Turqisë ratifikoi ofertën e vendit nordik.
NATO kërkon miratimin unanim të të gjithë anëtarëve ekzistues për t’u zgjeruar./ Associated Press