Sulltani Ibrahim Iskandar merr fronin e Malajzisë, miliarderi nuk do të jetë “mbret kukull”
Malajzia kurorëzoi të mërkurën sulltanin Ibrahim Iskandar si mbretin e saj të ardhshëm.
65-vjeçari e mori fronin pas një ceremonie të mbajtur në Kuala-Lumpur.
Mbreti malajzian është një post 5-vjeçar, kryesisht ceremonial, që trashëgohet me rotacion – mendohet se është i vetmi sistem i tillë në botë. Monarku i vendit shërben si kryetar shteti dhe komandant i forcave të armatosura.
Sulltani Iskandar është mbreti i nëntë i Malajzisë që kur shteti fitoi pavarësinë nga Britania në vitin 1957.
Ai është shprehur se nuk do të jetë një “mbret kukull”.
“Parlamenti ka 222 deputetë dhe jashtë tij ka mbi 30 milionë qytetarë. Unë nuk jam me ju, por jam me ta. Do e mbështes qeverinë, por nëse mendoj se po bëjnë diçka të pavend, do ua them,” deklaroi mbreti i ri në muajin dhjetor.
Malajzia është një vend me shumicë myslimane dhe sulltani Ibrahim Iskandar e merr pushtetin në një kohë kur politika lokale është duke goditur rastet e korrupsionit në politikë. Ish-kryeministri Naxhib Razak (o. Najib) po vuan 12 vite dënim për korrupsion në lidhje më skandalin miliardadollarësh të abuzimit me fondet e shtetit.
Sulltani Ibrahim Iskandar njihet për koleksionin e gjerë me motorë dhe makina luksoze dhe një pasuri që arrin deri në 5,7 miliardë dollarë, të ndara në toka dhe investime në kompani të ndryshme në fushën e vajit të palmës, pasurive të paluajtshme dhe telekomunikacionit.
Mbreti Ibrahim është babai i gjashtë fëmijë dhe në të kaluarën është njohur për bamirësitë ndaj të varfërve, duke i ndarë vetë ndihmat me motor Harli-Davidson. /The Guardian