Sulm me thikë në Paris, një viktimë dhe dy të plagosur
Një person ka humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur nga një sulm me thikë dhe çekiç në një rrugë në qendër të Parisit. Sulmi ndodhi në Quai de Grenelle, pranë Kullës Eifel, pak para orës 21:00 me orën lokale të shtunën.
Një shtetas francez 26-vjeçar i njohur i cili merrej me shërbimet e sigurisë është arrestuar dhe prokurorët e antiterrorizmit kanë hapur një hetim. Zyrtarët konfirmuan se personi i vrarë ishte një shtetas gjerman.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin tha se viktima, i lindur në vitin 1999, ishte me gruan e tij kur u sulmua dhe u godit me thikë për vdekje. Ai tha se jeta e gruas u shpëtua nga ndërhyrja e një shoferi taksie.
Autori u arrestua, ndërsa sipas dëshmitarëve ai u dëgjua duke bërtitur “Allahu Akbar”, arabisht që do të thotë “Zoti është më i madhi”. Në dëshminë e tij në polici, ai ka deklaruar se ishte i mërzitur sepse “shumë myslimanë po vdesin në Afganistan dhe në Palestinë”.
Ai ishte dënuar më parë me katër vjet burg pasi u arrestua për planifikimin e një sulmi tjetër në vitin 2016 dhe ishte në listën vëzhguese të shërbimeve franceze të sigurisë.
Sulmi vjen më pak se dy muaj pasi një mësues u vra në një sulm me thikë në një shkollë të mesme në qytetin verior të Arras, duke bërë që qeveria franceze të vendosë vendin në nivelin më të lartë të alarmit të sigurisë kombëtare. BBC