Sulm me thikë në Sidney, 6 viktima. Qëllohet për vdekje autori
Gjashtë persona kanë humbur jetën në Sidney të Australisë, pas një sulmi me thikë këtë të shtunë (13 prill) në një qendër tregtare. Raportohet se autoritetet qëlluan autorin e dyshuar të sulmit, ndërsa qendra tregtare është evakuuar. Sipas policisë, autori veproi i vetëm dhe se nuk ka asnjë kërcënim të vazhdueshëm për publikun.
Ndërkohë, mes personave të plagosur është edhe një foshnje 9 muajshe.
Kryeministri australian, Anthony Albanese reagoi duke deklaruar: “Zemrat tona janë me të plagosurit. Faleminderit personave që u përgjigjën të parët për t’i ardhur në ndihmë të plagosurve”
Mediat australiane po flasin për terrorizëm, pasi sipas dëshmitarëve okularë, autori qëlloi persona të rastësishëm. Megjithatë, deri më tani nuk janë të qarta arsyet e sulmit.
Kryeministri tha se spekulimet nuk janë të dobishme.
“Motivet nuk dihen ende dhe spekulimet nuk do të ishin të dobishme në këtë moment”, tha ai.
Dëshmitarët okularë kanë përshkruar kaosin dhe tmerrin teksa iknin nga qendra tregtare.
“Ishte marrëzi,” tha një grua duke qarë, ndërsa tregoi se kishte parë një grua të plagosur të shtrirë në dysheme.
Një tjetër dëshmitar okular tha se dëgjoi “njerëzit që bërtisnin, duke vrapuar”.
“Ai filloi të vraponte drejt nesh dhe gjithçka që dëgjova ishte ‘uluni poshtë’ dhe më pas oficeri i policisë e qëlloi atë. Nëse polici nuk do ta kishte vrarë, ai do të kishte vazhduar të na sulmonte me tërbim”, tha ai.
Qendra tregtare Westfield Bondi është një nga qendrat tregtare më të mëdha dhe më të njohura në vend.