Sulme intensive në Gaza – Izraeli bombardon enklavën palestineze pavarësisht thirrje për armëpushim
Rripi jugor i Gazës ishte objektiv i bombardimeve izraelite gjatë natës, pavarësisht presionit ndërkombëtar për një armëpushim të menjëhershëm në territorin palestinez, i cili është në prag të zisë së bukës. Enklava e rrethuar ka nevojë urgjente për ndihma humanitare dhe Shtetet e Bashkuara thanë se do të vazhdojnë të hedhin ndihma nga ajri, duke refuzuar thirrjet e Hamasit për të ndaluar një praktikë të tillë.
Më herët grupi militant tha se 18 persona humbën jetën në përpjekje për të marrë paketat ushqimore. Gjatë natës janë dëgjuar shpërthime në Rafah, qendra e fundit urbane në Gaza që ka mbetur pa u sulmuar nga forcat tokësore izraelite. Rreth 1.5 milionë persona janë zhvendosur në atë zonë, që nga nisja e luftës më 7 tetor. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi tha të mërkurën se 66 njerëz ishin vrarë nga sulmet izraelite gjatë natës.
Luftimet po vijojnë edhe dy ditë pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi rezolutën e tij të parë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe kërkon lirimin e rreth 130 pengjeve që Izraeli thotë se mbahen në Gaza. Forcat izraelite kanë rrethuar edhe dy spitale në Han Junis. Autoritetet palestineze thonë se qindra persona janë bllokuar në spitalin Nasser dhe jeta e tyre është në rrezik. Ata akuzojnë trupat izraelite se janë përfshirë në luftime të ashpra edhe në spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës.
Izraeli tha se ka vrarë 170 militantë palestinezë dhe ka arrestuar qindra të tjerë. Ndërsa pretendon se është kujdesur që të shmangë dëmtimin e civilëve. Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza deri tani janë vrarë mbi 32 mijë persona.