Sulme Izraelite në Bejrut – Libani dhe Hezbollahu pranojnë propozimin e SHBA-së për armëpushim
Një sulm ajror izraelit vrau pesë persona në Bejrut, ndërsa prej dy ditësh Izraeli godet objektivat e grupit të armatosur Hezbollah brenda kryeqytetit. “Dy persona u zhdukën pas sulmit dhe 31 të tjerë u plagosën” – tha ministria libaneze e Shëndetësisë.
Izraeli ka intensifikuar bombardimet e tij brenda dhe rreth kryeqytetit libanez, ndërsa Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë raketa drejt shtetit hebre. I dërguari amerikan Amos Hochstein pritet të mbërrijë së shpejti në Bejrut.
Ai ka zhvilluar disa raunde bisedimesh për arritjen e një armëpushimi dhe shprehu shpresën se së shpejti mund të arrihet një marrëveshje e tillë. Ndërkohë Libani dhe Hezbollahu kanë rënë dakord për një propozim të Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim me Izraelin. Një diplomat që ka dijeni mbi bisedimet paralajmëroi se ka ende detaje për t’u shqyrtuar përpara se të arrihet në një marrëveshje përfundimtare.
Ali Hassan Khalil, një zyrtar i lartë i parlamentit libanez tha se i dorëzuan të hënën përgjigjen me shkrim ambasadorit amerikan në Bejrut. “Suksesi i nismës tani varet nga Izrael”i, deklaroi ai.
Izraeli ka goditur rëndë Hezbollahun që nga fundi i shtatorit, duke i vrarë liderin Hassan Nasrallah. Nga nisja e konfliktit, nga sulmet izraelite janë vrarë mbi 3480 persona në Liban, ndërsa sulmet e Hezbollahut kanë vrarë 43 civilë dhe 73 ushtarë izraelitë.