Sulme të reja në Veri të Gazas, bombardimet ajrore më të rënda në disa javë
Ushtria izraelite ka nisur sërisht bombardimin e pjesës veriore të Rripit të Bllokuar të Gazas, në një nga sulmet më të rënda të javëve të fundit, – raporton agjencia e lajmeve Reuters. Bombardimet ishin intensive në lindje të vendbanimeve Beit Hanoun e Jabalia, si dhe në Zeitoun, një nga zonat perfierike më të vjetra të Gazas.
Banorët raportuan këtë të martë për të paktën dhjetë sulme brenda disa sekondash përgjatë rrugës kryesore. Në perëndim të Beit Hanoun-it, në Beit Lahiya, mjekët dhe mediat e Hamasit thanë se sulmet kishin goditur një xhami dhe një turmë që ishte mbledhur në një rrugë bregdetare për të marrë ndihma të hedhura nga ajri, por “Reuters” nuk ka mundur ti verifikonte në mënyrë të pavarur këto njoftime.
Ushtria izraelite tha se raketat e nisura gjatë natës drejt Izraelit kishin ardhur nga pozicionet e zjarrit në veri të Gazës. Forcat izraelite thanë se kishin goditur raketahedhës dhe kishin vrarë disa militantë gjatë natës përmes atyre që i quajtën sulme “me shënjestër dhe precize”.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 32 persona, dhe janë plagosur 59 të tjerë. Në 200 ditë bombardime izraelite në Gaza, numri i të vrarëve i ka kaluar 34.180 , ndërsa ai i të plagosurve në mbi 77 mijë.