Sulmet në Banjskë/ Hill: Tërheqja e trupave dhe arrestimi i Radoiçiqit, hap pozitiv
Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kristofer (Christopher) Hill e ka konsideruar një hap të mirë tërheqjen e trupave nga vija administrative dhe arrestimin e Milan Radoiçiqit.
Ai u shpreh se këto vendime janë në interes të Uashingtonit që të gjejnë një zgjidhje politike për situatën në Kosovë.
“Nuk ka dyshim se ka pasur një tërheqje të një pjese më të vogël të trupave dhe se në këtë kuptim gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Mund të them gjithashtu se kemi konfirmim për uljen e numrit të trupave. Problemi këtu nuk është ushtarak, por në fakt politik”, tha Hill.
Ky i fundit shtoi se prezenca e shtuar e trupave përgjatë vijës administrative me Kosovën shkakton shqetësim dhe se SHBA-të i kanë kërkuar lidershipit serb tërheqjen e trupave.
Lideri i grupit terrorist serb që kreu sulmin ndaj Policisë së Kosovës të dielën e 24 shtatorit, Milan Radoiçiq u ndalua dje (3 tetor) nga Policia serbe për 48-orë.